Shëndeti oral, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës të fundit

0
944

Shpenzimet për higjienën e gojës minimale. Një shqiptar “harxhon” vetëm 1.5 euro në vit për dhëmbët.

Raporti: Ndërrojnë furçën e dhëmbëve 1 herë në tre vjet.

Shqiptarët renditen të fundit në Europë për kujdesin ndaj shëndetit oral. Nuk bëhet fjalë për kontrollet periodike te dentisti, të cilat pavarësisht kostos së lirë, neglizhohen. Duket se një pjesë e mirë e popullatës janë kursimtarë edhe me pastën e furçën e dhëmbëve. Këtë të fundit, një pjesë e mirë e tyre e ndërrojnë një herë në 3 vjet, ndërkohë që mesatarisht duhet ndërruar një herë në 3 muaj. Sipas raportit të “Euromonitor International”, vendi ynë është i fundit në rajon në lidhje me shpenzimet për këto dy produkte. “Shpenzimet e ulëta për pastën e dhëmbëve e furçën e dhëmbëve tregojnë për njohuri të pakta në lidhje me kujdesin e gojës, si dhe shëndet oral mjaft të dobët”, thuhet në raport. Referuar statistikave në Shqipëri shpenzohen 1.5 euro për person, në Kosovë 1.9 euro, ndërsa në shtete të tjetra të Europës Lindore kjo shifër arrin në 5 euro për person. “Shëndeti oral është tepër i nënvleftësuar”, thuhet në raport.
Ndërrimi i furçës dhe pasta
Dentistët rekomandojnë që një furçë dhëmbësh të ndërrohet mesatarisht çdo 3 muaj. “Në Shqipëri përdorimi për çdo person është i ulët jo vetëm krahasuar me rekomandimet, por edhe me mesataren europiane, që i përkon përkatësisht 2 furçave dhëmbësh në vit. Mesatarja e përdorimit të furçës së dhëmbëve në Shqipëri është 0.3 për person. Më e ulëta në Europë”, thuhet në raport. Sipas tij, do të thotë se qytetarët e ndërrojnë një herë në 3 vjet furçën e dhëmbëve, ndërkohë që në Gjermani për shembull ose Suedi një person përdor minimalisht 2 furça dhëmbësh. Rrjedhimisht edhe konsumi i pastës së dhëmbëve mbetet në nivele mjaft të ulëta. Çdo individ konsumon 1 pastë dhëmbësh 75 ml në vit. Në vendet e BE-së, shifrat janë rreth 4 herë më të larta. Sipas Federatës Botërore të Stomatologëve, sëmundjet e gojës janë më të përhapurat dhe prekin rreth 90% të popullsisë. Ato kanë një impakt domethënës në shëndetin e përgjithshëm të çdo individi.
Federata rekomandon shtim të kujdesit ndaj higjienës së gojës për të evituar prekjen nga këto sëmundje.
Mungon kultura
Sipas studimeve të njëpasnjëshme të Institutit të Shëndetit Publik, 60% e shqiptarëve kanë dhëmbë të dëmtuar në gojë dhe nuk i drejtohen dentistit, përveçse kur janë në gradën e fundit. Sipas stomatologëve, kjo është pasojë e mungesës së kulturës për shëndetin oral. Kultura për mirëmbajtjen e dhëmbëve duhet të nisë që në kopsht. Instituti i Shëndetit Publik pohon se shqiptarët kanë dyfishin e dhëmbëve të prishur krahasuar me mesataren europiane. Në problematiken e shëndetit oral nuk ndikon vetëm mungesa e kulturës së vetë njerëzve, por edhe mënyra e funksionimit të klinikave dentare, që si kudo në botë duhet të punojnë me sistemin e thirrjes së pacientit për rikontroll, sipas skedës personale të secilit. Për këtë mangësi gjendja ekonomike ka ndikim parësor. Një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk kanë para për të kryer vizitat çdo 6 muaj te dentisti.
Fëmijët dhe adoleshentët
Nga të dhënat e studimit të Ministrisë së Shëndetësisë ka rezultuar se vetëm 7% e fëmijëve, nga mosha 12-18 vjeç, i kontrollojnë dhëmbët një herë në 6 muaj, ndërsa 53% e tyre konsumojnë më shumë së dy herë në ditë armikun kryesor të dhëmbëve, ëmbëlsirat. Pjesa më e madhe e fëmijëve të moshave 12-13 vjeç kanë më shumë se tre dhëmbë të prishur, ndërsa te adoleshentët e moshës 18 vjeç numri i dhëmbëve të prishur shkon në 6. Niveli i sëmundshmërisë të aparatit të gojës është më i lartë në zonat rurale, ku kontrolli te dentisti quhet akoma shërbim luksi. Kështu, vetëm 40% e fëmijëve dhe adoleshentëve të moshave nga 12-18 vjeç përdorin furçën e dhëmbëve.

Kontrollet
Fëmijët dhe të rriturit duhet të bëjnë të paktën një herë në 6 muaj një kontroll te dentisti. Por te ne kjo gjë ndodh rrallë. Sipas të dhënëve të një studimi të Ministrisë së Shëndetësisë, 9% e fëmijëve nga mosha 12-18 vjeç i kontrollojnë dhëmbët një herë në 2 vjet.

Tri herë më shumë dhëmbë të prishur se në BE
Një personi në Shqipëri i takon të ketë mesatarisht deri në 4 dhëmbë të prishur, hequr ose mbushur në gojën e tij, ndërkohë që në vendet e tjera të Europës kjo shifër është 1.2 dhëmbë, që mund të kenë probleme. Stomatologët ngrenë shqetësimin për një ushqim të kontrolluar dhe vizitat te dentisti. Sipas specialistëve, shqiptarët i drejtohen dentistit vetëm kur kanë probleme me dhëmbët dhe prishja ka avancuar. Disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjen e dhëmbëve janë mungesa e kujdesit, konsumimi i duhanit dhe ëmbëlsirave, kequshqyerja etj. Sipas stomatologëve, kujdesi për të pasur dhëmbë të shëndetshëm duhet të fillojë që në moshë të vogël.

Fluori dhe sëmundjet
Vetëm 3% e fëmijëve përdorin fluorin pas moshës 1 vjeç, pasi prindërve u mungon informacioni i duhur për rëndësinë e këtij elementi. Në zonat rurale situata është më problematike. Kjo pasi në këto zona, përveç mungesës së ndërgjegjësimit, shërbimi i stomatologëve ose mungon, ose nuk plotëson kushtet e higjienës sanitare, duke u bërë kështu shkas për marrjen e një sërë infeksionesh. Disa herë kanë qenë vetë mjekët që kanë ngritur alarmin për këtë fenomen. Risku është i lartë edhe për sëmundje të rrezikshme, si hepatiti B dhe C, apo edhe virusi HIV.

PASTË DHËMBËSH
AUSTRIA 328 ML/VIT
BELGJIKA 270ML/VIT
DANIMARKA 376 ML/VIT
FRANCA 356 ML/VIT
GJERMANIA 399 ML/VIT
GREQIA 180 ML/VIT
ITALIA 417 ML/VIT
ANGLIA 395 ML/VIT
POLONIA 315 ML/VIT
ÇEKIA 352 ML/VIT
SLLOVAKIA 261ML/VIT
HUNGARIA 320 ML/VIT
RUMANIA 116 ML/VIT
SERBIA 146 ML/ VIT
KROACIA 258 ML/VIT
BULLGARIA 240 ML/VIT
SHQIPËRIA 75 ML/VIT
KOSOVA 100 ML/VIT

1 PASTË DHËMBËSH KA 75 ML