Reumatizma shoqërohet me dhimbje të forta, të therura dhe ënjtje të kyçeve. Artroza, artriti reumatik, si dhe osteoporoza janë ndër shqetësimet më të shpeshta që shfaqen. Simptomat që dallojnë secilën prej tyre, si dhe këshillat për t’i mbajtur sa më larg. Dieta ushqimore dhe ushtrimet për kyçet e duarve e këmbëve luajnë rol vendimtar në trajtim
Sëmundjet reumatizmale janë ndër shqetësimet më të shpeshta të shëndetit edhe në popullatën shqiptare, që prekin kryesisht moshat e rritura, por nuk mungon përhapja e tyre edhe tek më të rinjtë. Sikundër ndodh me shumë sëmundje të tjera, trajtimi i hershëm i simptomave reumatizmale luan një rol të rëndësishëm në kontrollimin dhe shmangien e dhimbjeve të gjymtyrëve e deformimit të kockave. Këto komplikacione favorizohen nga fakti i shfaqjes së simptomave të dukshme që në stadet më të hershme. Reumatologët bëjnë me dije se këto sëmundje mbartin një kosto të madhe, e cila nuk rëndon vetëm individin, por gjithë shoqërinë. Kjo pasi mostrajtimi, përveç dhimbjeve që shkakton tek pacienti, shton edhe mungesat në punë si rrjedhojë e paaftësisë për të kryer aktivitetet e përditshme. Sëmundjet reumatizmale renditen si shkaku i dytë pas sëmundjeve të qarkullimit të gjakut, që ndikojnë në rritjen e paaftësie për punë. Kjo sëmundje bëhet më e shpeshtë tek moshat e treta, ku mbi 50 për qind e tyre vuajnë nga format më të ndryshme të reumatizmës. Kategoria më e rriskuar mbeten femrat. Në vijim të shkrimit do të gjeni në formë më të detajuar se cilat janë komplikacionet më të shpeshta që shfaqen, si dhe çfarë këshillash rekomandohen nga mjekët në mënyrë që këto sëmundje të mbahen sa më larg.
Llojet më të shpeshta të komplikacioneve reumatizmale
Reumatizma është një gjendje e rënduar shëndetësore, e cila manifestohet në kyçet e gjymtyrëve, në muskuj ose në pjese të tjera të trupit. Prania e reumatizmës shoqërohet me dhimbje të forta, të therura dhe ënjtje të kyçeve. Reumatizma cilësohet si një ndër sëmundjet më të shpeshta të moshës së rritur, ndërkohë që kushtet klimaterike dhe vendbanimi ndikojnë në shfaqjen e saj. Reumatizma mund të shfaqet në forma të ndryshme, ku ndër më të shpeshtat pohohet të jenë artrozat, osteoporoza, dhimbjet e belit, si dhe një tjetër formë e rënduar siç është artriti reumatoid. Sa më herët të zbulohet prezenca e tyre, aq më efikas dhe më pak i dhimbshëm është trajtimi dhe mbajtja nën kontroll e komplikacioneve.
Artriti reumatik
Artriti reumatik njihet si një ndër shqetësimet më të shpeshta që shkaktohet si pasojë e inflamacioneve (apo siç njihen ndryshe në gjuhën popullore fryrje dhe ënjtje e artikulacioneve në gjymtyrë). Në përgjithësi simptomat e kësaj sëmundje konstatohen që në orët e para të mëngjesit kur pacienti zgjohet nga gjumi. Në rastet kur vuan nga artriti reumatoid, pacienti e ka shumë të vështirë lëvizjen e gjymtyrëve, e cila mund të vazhdojë edhe për më shumë se sa një orë. Por, për të konfirmuar praninë e artritit reumatik është mirë që të kërkoni ndihmën e mjekut, i cili përmes testeve përkatëse mund të faktojë praninë e kësaj sëmundje. Kjo me qëllim që të shmangen rastet në të cilat dhimbja e kyçeve dhe gjymtyrëve të ketë ardhur nga shkaqe të tjera. Për të vërtetuar këtë gjë, mjeku krahas analizave ju kërkon që të ndiqni edhe teste të tjera laboratorike, të cilat mund të japin një përfundim më të detajuar rreth simptomave të sëmundjes.
Stadet e qeta dhe të rënduara të artritit reumatik
Për pjesën dërrmuese të pacientëve që vuajnë nga artriti reumatik sëmundja mund të zhvillohet me faza të caktuara. Çka do të thotë se pacienti mund të përjetojë raste në të cilat sëmundja është më agresive, teksa herë-herë shfaqet edhe më e qetë dhe pa shqetësime të rënduara. Në rastet kur sëmundja është më aktive pacienti është shumë i lodhur, ka probleme me lëvizjen e kyçeve dhe çon në mpirje në kyçe, sidomos kur njeriu çohet në mëngjes apo ka qëndruar në vend për një kohë të gjatë.
Artroza
Një tjetër formë me të cilën mund të shfaqen sëmundjet reumatizmale janë edhe artrozat. Këto të fundit janë ndër format e shpeshta që prekin artikulacionet e gjymtyrëve (kyçet) dhe shkaktohen nga ngrënia e indit kockor që shërben për lidhjen e dy kockave, kryesisht ato mes gjymtyrëve. Humbja e këtij indi bën që kockat të afrohen gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën, duke çuar në deformimin e tyre, si rrjedhojë e fërkimit të krijuar mes kockave. Më e shpeshtë kjo sëmundje është tek moshat e rritura, megjithatë ka raste që mund të japë shenja të dukshme edhe tek pacientë të moshës 20 vjeçare.
Osteoporoza
Osteoporoza është një sëmundje e kockave gjatë së cilës densiteti kockor reduktohet në mënyrë graduale. Gjatë osteoporozës kockat bëhen më poroze me kalimin e kohës, gjë e cila rrit riskun për fraktura të tyre, invalidizime dhe deformime. Kjo sëmundje ndodh në mënyrë të heshtur e progresive dhe shpesh nuk ka simptoma deri në momentin kur ndodh fraktura e parë. Osteoporoza prek të dyja gjinitë por më e shpeshtë është te gratë. Për shumicën e grave rritja e humbjes së masës kockore fillon pas menopauzës, kur nivelet e estrogjenit bien ndjeshëm.
Simptomat
Shfaqja e simptomave që shoqërojnë sëmundjet reumatizmale ndryshojnë ndërmjet pacinetëve. Megjithatë ndër simptomat kryesore që flet për praninë e shqetësimeve reumatizmale pohohet të jetë ënjtja dhe deformimi i kyçeve, si pasojë e avancimit të sëmundjes. Kështu, sa herë që prekni nyjet e vëreni ënjtjen dhe dhimbjen rreth tyre, të shkaktuar kryesisht nga prania e artirit reumatik. “Tek disa dhimbjet vijnë dhe ikin, tek disa dhimbja është e vazhdueshme dhe mund të rritet me avancimin e sëmundjes. Në të tilla raste gjithashtu krijohen disa simptoma të ngjashme me simptomat e gripit. Ndodh që i sëmuri të ndjehet i dobët, ka pak temperaturë, s’ka oreks. Gjatë kësaj kohe mund të humbë peshë dhe të bëhet anemik. Me radhë simptomat e artritit reumatik përfshijnë edhe komplkacione që prekin gishtat. Në çdo pesë pacientë një prej tyre ka disa kokrra nën lëkurë tek bërrylat ose në pjesë të tjera të trupit”, bëjnë të ditur reumatologët rreth simptomave të dukshme të këtyre sëmundje. Nëse një bërryl është i prekur ka shumë mundësi që edhe bërryli tjetër të preket nga dhimbjet reumatizmale. Përgjithësisht kjo sëmundje prek kyçet e lëvizshme, si gjunjët dhe bërrylat, por shfaqet edhe në kyçet e dorës, këmbë, nofulla, qafën, belin, shpatullat, e në raste të rralla fundin e kurrizit.
Faktorët që ndikojnë
Sikundër e theksuam edhe pak më lart në pjesën dërrmuese të rasteve prania e komplikacioneve reumatizmale shoqërohet me shenja të dukshme, të cilat orientojnë jo vetëm pacientin, por edhe mjekun në lidhje me trajtimin e duhur që duhet ndjekur. Një ndër kushtet që e bën këtë sëmundje shumë të përhapur në vendin tonë është klima dhe faktorët ambientalë të vendbanimit. Klima e ftohtë me temperatura shumë të ulëta është një tjetër shkak që e rëndon edhe më shumë këtë sëmundje. Mbipesha është një tjetër faktor që e rëndon edhe më shumë gjendjen, po ashtu edhe shumë sëmundje të tjera. Faktorët hormonalë mund të ndikojnë në të. Sipas ndarjes së bërë nga mjekët shkaqet e shfaqjes mund të jenë të përgjithshme dhe lokale. Kështu, në shkaqet lokale mjekët listojnë faktorë të tillë që sa herë që sforcohet një nyje, duhet të mendohet për rrezikun e dëmtimit të saj, problem ky që shfaqet kryesisht në rastet kur ushtrohet aktivitet sportiv, si dhe nga mikrotraumat. Ky problem mund të bëhet edhe më i dukshëm në rastet kur kemi të bëjmë me anomali të lindura, e cila mund të ndikojë në mënyrë të dukshme mbi rastet e paraqitura me artrozë. Ndër shkaqet e përgjithshme specialistët përmendin moshën, e cila përbën një faktor etiologjik, ku artroza sa vjen e theksohet. Gjithashtu edhe faktori gjenetik ndikon në shfaqjen e këtyre sëmundjeve.
Gratë janë më të rrezikuara
Ndonëse nga sëmundjet reumatizmale preken masivisht të dyja gjinitë, më të shpeshta shfaqen tek femrat. Autoritet shëndetësore bëjnë me dije se më e shpeshtë kjo sëmundje shfaqet pikërisht tek kjo kategori (dyfish më e lartë se tek burrat), e kjo për shkak të faktit se kockat janë më të holla, të cilat rëndohen edhe më shumë nga ndërveprimi i një sërë faktorëve. Mjekët reumatologë tregojnë se artriti reumatik mund të shfaqet në të gjitha moshat, por mosha mesatare tek ata që sëmuren më shpesh është 50-55 vjeç.
Diagnostikimi i sëmundjes
Përmes testeve të shumta laboratorike përcaktohet edhe trajtimi që pacienti duhet të ndjekë. Ka raste në të cilat sëmundja mund të mbahet nën kontroll përmes mbajtjes së një diete të kujdesshme, si dhe ushtrimeve fizike. Ndërsa në rastet më të rënduara veprohet edhe me dhënien e medikamenteve, përdorimi i të cilave ndryshon nga pacienti në pacient, për shkak të veçorive individuale që manifeston secili prej tyre gjatë vizitës së zhvilluar tek mjeku specialist. Edhe këtu vlen për t’u nënvizuar fakti që nuk duhet të mbështetemi vetëm tek opinioni i farmacistëve për të qetësuar dhimbjet reumatizmale, pasi në këtë formë mund të rëndojmë edhe më shumë gjendjen shëndetësore.
Roli i dietave dhe ushtrimeve në trajtim
Rol vendimtar në trajtimin e këtyre sëmundjeve krahas trajtimit medikamentoz, luan edhe dieta ushqimore, si dhe kryerja e aktivitet fizik. Në rastet kur sëmundja është prezente problemet me ushqimin janë shumë të dukshme. Nëse këto probleme nuk balancohen përmes dietës ushqimore, atëherë sëmundja rëndohet duke kaluar në stade më agresive, çka mund të çojë deri në pengimin e të gjitha aktiviteteve të përditshme. Përballë ndjenjës së dobësisë për të kryere aktivitetet e përditshme, duhet bërë shumë kujdes që të mos lejohet rëndimi i mëtejshëm i simptomave. Duke mos lënë pas dore ushtrimet e lehta fizike, kryerja e të cilave gjithashtu duhet të ndjekë edhe rekomandimet e një mjeku, duhet t’i jepni përparësi dietave ushqimore që kanë si bazë kryesore frutat, perimet dhe zarzavatet. Kjo pasi përbërja e tyre minerale dhe me vitamina ndihmon zhvillimin e duhur të kockave, dhe indit kërcor që ndihmon lidhjen e tyre. Ndërkohë që krejt të kundërta do të ishin reagimet, në rast se dieta juaj ushqimore mbizotërohet nga ushqime që kanë kryesisht përmbajtje yndyrore, dhe mishrash. Ky i fundit mund të zëvendësohet fare mirë me peshkun apo dhe mishin e punës. Mjekët i mëshojnë idesë se konsumi i ushqimeve që kanë të përmbajtje të tyre pak kalori ju ndihmon që të ruani edhe peshën trupore, çka do të thotë se kyçet do ta kenë më të lehtë jo vetëm që të përballojnë peshën por edhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme. Është e domosdoshme që rregullisht të merren vitaminat, veçanërisht vitamina D e cila është shumë e domosdoshme për kockat, e cila duhet shoqëruar edhe me kalcium.
Ngadalësimi i humbjes së lëndës kockore
Meqenëse kalciumi dhe vitamina D mund të ngadalësojnë humbjen e lëndës kockore, shpesh doktorët këshillojnë marrjen e tabletave të kalciumit me vitamine D. Shpeshherë këshillohet edhe estrogjeni. Ky është një hormon që ndihmon gjithashtu në ngadalësimin e humbjes kockore. Kërkimet shkencore janë të përqendruara në kombinimet e këtyre preparateve të mësipërme plus fluor në shpresën e gjetjes së një mënyre për të ndaluar humbjen kockore. Në masat parandaluese përfshihen marrja e ushqimeve të pasura në kalcium, mënjanimi i proteinave të tepruara dhe ushtrimet e rregullta fizike të cilat stresojnë në mënyrë të moderuar shtyllën kurrizore dhe kockat e gjata të trupit.
7 Këshillat e arta për kocka të forta e të shëndetshme
Ushqimi duhet të jetë i pasur me fibra (që gjenden me shumicë në drithërat) me fruta, perime, jo shumë proteina (që gjenden tek mishi, veza etj) yndyrat të kufizuara. Ushqimet duhet të jenë të shijshme. Vetëm se asnjëherë nuk duhet harruar, që nënushqyerja mund të jetë edhe më e se mbiushqyerja.
Studimet kanë treguar se nëpërmjet ushqyerjes me një dietë të ekuilibruar, të pasur në fruta dhe perime, mund të sigurohen mjaft element ushqyes të nevojshëm për kocka të shëndetshme. Ekspertët rekomandojnë multivitamina ose suplementë të tjerë për njerëzit të cilët nuk marrin mjaftueshëm minerale dhe vitamina nga ushqimet. Kjo përfshin njerëzit që kanë çrregullime gastrointestinale që kanë probleme me thithjen e vitaminave dhe mineraleve në organizmin e tyre.
Marrja e tepruar e natriumit, proteinave dhe kafeinës mund të shkaktojë humbje të kalciumit, prandaj është e rëndësishme për shëndetin e kockave që marrja e tyre mos të jetë mbi normat, në mënyrë që kockat të mos shfaqin probleme.
Përfshi kalciumin në dietë. Moshat e rritura (kryesisht mbi 5 0 vjeç), kanë nevojë për 1200 mg kalcium çdo ditë. Marrja e ushqimeve të pasura me kalcium është esenciale për përmirësimin e shëndetit të kockave duke filluar që në fëmijëri ose adoleshencë. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e nënproduktet e tij (kos, djathë), peshku e produktet e tjera të detit, fasulet, brokoli dhe zarzavatet e tjera si dhe frutat e thata (fiq, fara luledielli, etj). Preferohet që kalciumi të merret me ushqimin e përditshëm, por ndonjëherë është e nevojshme marrja e tij në formë suplementi.
Merr mjaftueshëm vitaminën D. Një sasi e mjaftueshme vitamine D është shumë e rëndësishme për kocka të shëndetshme mbasi kalciumi nuk përthithet lehtë nga organizmi pa ndihmën e vitaminës D. Burimi kryesor i kësaj vitamine është drita e diellit. Burim i rëndësishëm për vitaminën D është dhe ushqimi, ku qumështi e peshku janë më të pasur. Rekomandohet që të gjithë njerëzit mbi moshën 50 vjeç të konsumojnë 500 ml (2 gota/filxhan çaji) qumësht çdo ditë, për të plotësuar nevojat ditore të saj. Njerëzit të cilët nuk pinë qumësht dhe ata mbi 50 vjeç, kanë nevojë për të marrë një suplement ditor të vitaminës D prej 400 UI, sigurisht nën këshillat e mjekut. Kjo është e nevojshme sidomos gjatë periudhës së dimrit kur dielli nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar vitaminën D. Kapaciteti i lëkurës për të prodhuar vitaminën D gjithashtu reduktohet me kalimin e moshës.
Kompresa në vendin e dhimbjeve është në të shumtën e rasteve qetësuesi numër një që ndalon dhimbjen. Por, për rastet me reumatizëm të vazhduar, mjekët rekomandojnë pirjen e produkteve bimore, si dhe kompresat në vendet më të theksuara me reumatizëm. Plazhi nuk këshillohet për të gjitha llojet e komplikacioneve reumatizmale. Mjeku përcakton se cilat janë kategoritë që duhet të orientohen drejt plazhit.
Ushtrimet. Ka gjithmonë e më shume fakte që provojnë se ushtrimet fizike ndikojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, tensionit të lartë të gjakut, sëmundjeve të kockave dhe të muskujve, si dhe në një gjendje të përgjithshme psikofizike të shëndetshme. Është një formë shumë e mirë parandalimi edhe për sëmundjet e kockave dhe problemeve me inflamacionet e gjymtyrëve. / Përgatiti Pranvera Kola