Dhimbja e kyçeve dhe temperatura, rrezik për reumatizmën

0
448

Hydajete Bushaj

Sëmundjet reumatizmale shfaqin shqetësime të shpeshta shëndetësore, që prekin kryesisht moshat e rritura, por nuk mungon përhapja e tyre as te rinjtë. Sikundër ndodh me shumë sëmundje të tjera, trajtimi i hershëm i simptomave reumatizmale, luan një rol të rëndësishëm në kontrollimin dhe shmangien e dhimbjeve të gjymtyrëve, por dhe në deformimin e kockave. Këto komplikacione, sipas reumatologes Rovena Liço, favorizohen nga fakti i shfaqjes së simptomave të dukshme, që në stadet më të hershme. Gjatë një bisede me të ajo na këshillon se si mund që t’i shmangin dhimbjet e kyçeve, të cilat shpeshherë shoqërohen me temperaturë.

Zonja Liço, çfarë mund të na thoni për sëmundjet reumatizmale?

Në të vërtetë sëmundjet reumatizmale përfshijnë një spektër shumë të gjerë sëmundjesh dhe mund të ndahen në 2 grupe të mëdha: sëmundjet kronike të indit lidhor dhe osteoartrozat (sëmundje degjenarative e kërcit). Grupi i dytë prek pothuajse 80-90 për qind të popullsisë pas të 50-tave, ndaj dhe fjala reumatizëm është aq e përdorur dhe e njohur nga të gjithë. Ndërsa, përsa i përket osteoartrozave janë sëmundje që karakterizohen nga degjenerimi i kërcit, që gjendet në pjesën fundore të kockave, duke ekspozuar kockën ndaj dëmtimeve mekanike, ndryshime që shoqërohen me dhimbje gjatë aktivitetit fizik nga ana e pacientit.

Cilat janë karakteristikat e përbashkëta të sëmundjeve reumatizmale? Po simptomat?           

Ajo që kanë të përbashkët të gjitha sëmundjet reumatizmale është prekja e artikulacioneve. Numri i artikulacioneve të prekura, shpërndarja e prekjes, karakteristikat e dhimbjes, shoqërimi ose jo me shenja të tjera, janë të dhëna që bëjnë diferencën ndërmjet sëmundjeve reumatizmale. Osteoartrozat shoqërohen me dhimbje që shtohet nga aktiviteti fizik dhe vështirësi në lëvizje, nga ana tjetër sëmundjet kronike të indit lidhor, siç është artriti reumatoid, karakterizohen nga dhimbja në qetësi, natën, enjte e kyçeve, ngurtësim mëngjesor të zgjatur, lodhje, dobësi të përgjithshme, kufizim të lëvizjeve deri në vështirësi të theksuar në kryerjen e aktivitetit të përditshëm jetësor. Shfaqja e simptomave që shoqërojnë sëmundjet reumatizmale ndryshojnë ndërmjet pacientëve. Megjithatë ndër simptomat kryesore që flet për praninë e shqetësimeve reumatizmale pohohet të jetë ënjtja dhe deformimi i kyçeve, si pasojë e avancimit të sëmundjes.

Kështu, sa herë që prekni nyjet e vëreni ënjtjen dhe dhimbjen rreth tyre, të shkaktuar kryesisht nga prania e artirit reumatik. Te disa dhimbjet vijnë dhe ikin, te disa dhimbja është e vazhdueshme dhe mund të rritet me avancimin e sëmundjes. Në të tilla raste gjithashtu krijohen disa simptoma të ngjashme me simptomat e gripit. Ndodh që i sëmuri të ndjehet i dobët, ka pak temperaturë, s’ka oreks. Gjatë kësaj kohe mund të humbë peshë dhe të bëhet anemik. Me radhë simptomat e artritit reumatik përfshijnë edhe komplikacione që prekin gishtat. Në çdo pesë pacientë, një prej tyre ka disa kokrra nën lëkurë te bërrylat ose në pjesë të tjera të trupit. Përgjithësisht kjo sëmundje prek kyçet e lëvizshme, si gjunjët dhe bërrylat, por shfaqet edhe në kyçet e dorës, këmbë, nofulla, qafën, belin, shpatullat, e në raste të rralla fundin e kurrizit.

A ndikon qëndrimi për një kohë të gjatë në një pozicion të caktuar?

Qëndrimi në të njëjtin pozicion për një kohë të gjatë, e sidomos qëndrimi jokorrekt shoqëruar dhe me mungesën e aktivitetit fizik, bëhet shkak duke predispozuar shfaqjen e spondiloartrozave, që janë ndryshime artrozike në rruazat e shtyllës kurrizore. Por një moment të caktuar ato bëhen shkak dhe për dhimbje mjaft të forta të shtyllës kurrizore, që jo rrallëherë kërkojnë trajtim të fortë analgjezik shoqëruar me trajtim fizioterapeutik.

A janë grupmoshat e reja më të rrezikuara në këtë rast?

Është e njohur shprehja “Është më mirë të parandalosh sesa të mjekosh”. Ndaj moshat e reja duhen këshilluar drejt një jete sa më të shëndetshme, evitimi i jetës sedentare e kryerja e aktivitetit fizik, notit, apo biçikletës. Këto janë sporte që bëjnë shumë mirë për aparatin loko-motor, pozicionimi korrekt i shtyllës kurrizore në punë apo shkollë, dietat e pasura me vitamina e minerale, evitimi i përdorimit të duhanit e alkoolit shërbejnë për të mbajtur kyçe e kocka të forta për një kohë të gjatë. Sigurisht që, ka sëmundje reumatizmale që shfaqen në mosha të reja si, lupusi eritematoz sistemik, spondiliti ankilozant, artriti reumatoid juvenil, të cilat janë sëmundje që kërkojnë domosdoshmërish vëmendjen mjekësore e që nuk duhen neglizhuar në asnjë moment. Në një moshë të re kur shfaqen dhimbje kyçesh, të pranishme dhe në qetësi apo natën, kyçe të ënjtura, shoqëruar me temperaturë të lehtë, janë shenja alarmi pas të cilave çdo person të kërkojë ndihmë mjekësore.

Mendimet e gabuara për reumatizmin në praktikën e përditshme

Po klima si ndikon? Në çfarë periudhe ndihen me shpesh shqetësimet e këtyre sëmundjeve?

Në mendimin e përgjithshëm besohet se lagështira ndikon në shfaqjen e sëmundjeve reumatizmale dhe, nga ana mjekësore, kjo konsiderohet një mit. Edhe në praktikën e përditshme, vijnë shpesh pacientët, që ankesat e tyre i lidhin me lagështirën e motit, por kjo pjesërisht mund të shpjegohet me faktin se ndryshimet në presionin atmosferik, çojnë në ndryshime biomekanike të funksionimit të kyçeve, gjë që bëhet shkak për fillimin e dhimbjes. Ndërkohë është i njohur fakti që për një grup sëmundjesh reumatizmale, ekspozimi në diell është faktor shpërthyes ose acarues i sëmundjes. Kur një kyç paraqitet i ënjtur dhe me dhimbje, nxehtësia thellon pezmatimin duke zgjeruar enët e gjakut, duke bërë që situata të përkeqësohet dhe më tepër. Ky është një tjetër gabim i zakonshëm që hasim në praktikën e përditshme, ku pacientët duke menduar se të ngrohtat bëjnë mirë për reumatizëm vijnë në gjendje të acaruara. Nga ana tjetër sëmundjet reumatizmale, janë sëmundje që shtrihen gjatë gjithë vitit, sigurisht që ato paraqiten me periudha acarimi dhe qetësimi, por kjo jo domosdoshmërish lidhet me një stinë të caktuar.

Cilat janë shkaqet e këtyre sëmundjeve?

Për osteoartrozat ndër faktorët që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes mund të përmendim: moshën (preken më shpesh moshat mbi 40 vjeç, obeziteti, jeta sedentare, traumat artikulare të mëparshme, si dhe faktorët gjenetikë. Për grupin tjetër të sëmundjeve reumatizmale, etiologjia e saktë nuk dihet, por mendohet se është një bashkëveprim ndërmjet faktorëve gjenetike, faktorëve hormonale, infeksione dhe atyre ambientale.

Cilat janë llojet më të shpeshta të komplikacioneve reumatizmale?

Është e kuptueshme që sëmundje të ndryshme kanë komplikacione të ndryshme, por në qoftë se sëmundjet reumatizmale lihen të patrajtuara ashtu siç duhet, mund të bëhen shkak për ndryshime të parikthyeshme në kyçe dhe në organe të tjera, për reduktim të amplitudës së lëvizjes artikulare e humbje të funksionimit normal të artikulacionit. Shpeshherë kufizimi i lëvizjeve për një artikulacion të caktuar mund të jetë edhe total, çka bëhet shkak për zëvendësim protezik të tij apo invalidizim të pacientit. Nga ana tjetër ka sëmundje reumatizmale, që kërkojnë mjekim të vazhdueshëm me preparate, si kortizonike, imunosupresore, preparate biologjike, përdorime që mbartin rrezikshmëri e efekte anësore.

Këshillat për kocka të forta e të shëndetshme

Ushqimi duhet të jetë i pasur me fibra (që gjenden me shumicë në drithërat) me fruta, perime, jo shumë proteina që gjenden te mishi, veza etj., yndyrat të kufizuara. Një sasi e mjaftueshme vitamina D është shumë e rëndësishme për kocka të shëndetshme, mbasi kalciumi nuk përthithet lehtë nga organizmi pa ndihmën e vitaminës D. Burimi kryesor i kësaj vitamine është drita e diellit. Burim i rëndësishëm për vitaminën D është dhe ushqimi, ku qumështi e peshku janë më të pasur. Rekomandohet që të gjithë njerëzit mbi moshën 50 vjeç të konsumojnë 500 ml (2 gota/filxhan çaji) qumësht çdo ditë, për të plotësuar nevojat ditore të saj. Kjo është e nevojshme sidomos gjatë periudhës së dimrit kur dielli nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar vitaminën D. Kapaciteti i lëkurës për të prodhuar vitaminën D gjithashtu reduktohet me kalimin e moshës.