Sëmundjet pulmonare renditen të katërtat për shkallën e vdekshmërisë

0
474

Ndër shkaktarët kryesorë renditen duhanpirja dhe ndotja e ajrit semundjet polmonare duhaniSëmundjet pulmonare renditen në vend të katërt për shkallën e lartë të vdekshmërisë, pas atyre tumorale, kardiologjike apo edhe goditjeve, që çojnë menjëherë drejt humbjes fatale të jetës. Si një ndër shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundjeje renditet duhanpirja. Përpos kësaj, një tjetër faktor rreziku është edhe ndotja e ajrit. Ndotja mund të ngacmojë mushkëritë dhe të sjellë një shkatërrim të tyre, ndaj këshillohet të jetohet në një mjedis larg pluhurave dhe tymit. Faktorë të tjerë risku përmendim kimikatet edhe infeksionet. Në Shqipëri kemi një shtim të numrit të femrave të prekura si rezultat i saj, për shkak të duhanpirjes. Ndaj, në kuadër të kësaj, Ministria e Shëndetësisë bën thirrje për një jetë pa duhan, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ulet risku që vjen si rezultat i saj. Të dhënat u bënë publike dje me rastin e ditës botërore të sëmundjeve pulmonare. “Lënia e duhanit është veprimi i vetëm që një pacient me sëmundje pulmonare mund të ndërmarrë që të zgjasë jetën e tij. Të gjitha veprimet e tjera do të ofrojnë vetëm përmirësim të cilësisë së jetës, prandaj është kaq e rëndësishme që njerëzit të lënë duhanin sa më herët në kohë që të jetë e mundur. Kur lini duhanin, organizmi juaj fillon menjëherë riparimin, pikërisht brenda tetë orëve ritmi kardiak ngadalësohet në nivel normal dhe presioni i gjakut po ashtu bie. Brenda 3-5 ditëve, ndjeshmëria e nuhatjes dhe e shijimit përmirësohet”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Duke iu referuar studimeve të fundit të kryera në lidhje me këtë çështje, tregojnë se rreth 30-40 për qind e shqiptarëve janë alergjikë, ndërkohë tre për qind e popullsisë vuan si pasojë e astmës. Disa nga simptomat e kësaj sëmundjeje janë pengesa në frymëmarrje, shtrëngim në kraharor apo edhe kollë me sekrecione. Sëmundje pulmonare është një term që përdoret për sëmundjet e mushkërive, kur ka një problem për një kohë të gjatë, i cili më pas sjell ngushtim të tubave bronkialë. Dita botërore e sëmundjeve pulmonare organizohet çdo vit me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të personave ndaj kësaj sëmundjeje, si edhe të evitojnë konsumimin e duhanit, si një ndër shkaktarët kryesorë të saj. “Sëmundja pulmonare obstruktive kronike është shkaktare kryesore e sëmundshmërisë kronike dhe e vdekshmërisë në botë. Ajo është një nga sëmundjet që karakterizohet nga ngushtimi i bronkeve. Ky problem i bronkeve është i vazhdueshëm dhe shoqërohet me një zhvillim jonormal të mushkërive ndaj grimcave dhe gazeve të dëmshme. Sëmundjet pulmonare diagnostikohen vetëm kur kjo e fundit është klinikisht e dukshme dhe mesatarisht e avancuar. Nga studimet është vërejtur se është më e përhapur në vendet ku duhanpirja është e lartë. Mesazhi i këtij viti për ditën botërore të kësaj sëmundjeje është: ‘Nuk është kurrë vonë’”, shpjegojnë mjekët specialistë. Ilda Hoxha