Rezistenca ndaj antibiotikëve: 4 antibiotikë rrezikojnë të humbin së shpejti efektin e tyre

0
175

Sipas një studimi të bërë nga Instituti i Shëndetit Publik me mbështetjen e OBSH-së, në Shqipëri është rritur rezistenca ndaj 4 antibiotikëve, të cilët luftojnë patogjenë ushqimorë si salmonella që sjellin problematika të theksuara shëndetësore.
Shqipëria është ndër vendet e paralajmëruara nga Kombet e Bashkuara për përdorimin e lartë të antibiotikëve dhe rreziku që kanos të gjithë botën nga rezistenca mikrobike.
Konsumi i antibiotikëve në vendin tonë përllogaritet rreth 22.7 doza për 1 mijë banorë, shifër kjo e përafërt me vendet e rajonit dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Të dhënat e OBSH tregojnë se 10% e pacientëve që shtrohen në një spital europian marrin një infeksion. Në spitalet tona kjo shifër është 5 % më e lartë. Megjithatë me futjen e pajisjeve të reja mjekësore në sallat e operacionit ka të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë se infeksionet spitalore janë ulur gati dy herë, krahasuar me dy vite më parë.
Lufta ndaj rezistencës mikrobike tanimë ka alarmuar Kombet e bashkuara dhe Shqipëria renditet ndër ato vende me përdorim të lartë.
Përveç përshkrimit pa kriter të antibiotikeve në receta, mjekët thonë se përdoret masivisht në fermat blegtorale.
“Ne antibiotikun e marrim edhe nga ushqimet. Nga depistimet që kemi bërë në pacientë që nuk kanë përdorur antibiotikë kanë rezultuar me rezistencë”, shprehet Prof. Dr. Perlat Kapisyzi.
Mjekët tanë shpesh nuk janë të sigurt dhe përshkruajnë në recetë antibiotikun më të fortë dhe më afatgjatë. “Shpesh japin antibiotikun e gjeneratës së fundit edhe kur nuk është nevoja. Dhe nuk është vetëm çështja e rezistencës, por dëmtojnë dhe imunitetin në organizëm”, shprehet Prof. Dr. Perlat Kapisyzi.
Antibiotikët e përdorur pa kriter rrezikojnë edhe ekonominë dhe rrisin edhe varfërinë. Për vendet si Shqipëria kostot janë bërë të larta.
“Rezistenca mikrobike ul GDP-në në 1% në vendet e zhvilluara dhe në 3% në vende në zhvillim. Rrit shpenzimet nga 300 bilionë deri në 1 trilion në vitin 2050, rrit varfërinë me 28 milionë njerëz”, thuhet në një studim të bërë nga Banka Botërore
Edhe në Shqipëri është ngritur tanimë Komiteti Ndërteknik, me përfshirjen e Ministrisë se Shëndetësisë, Bujqësisë, Arsimit dhe Financave, për planin e veprimit që do të zhvillohet ndaj rezistencës mikrobike duke nisur nga viti 2018.

Alma Demiraj

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here