Shëndeti mendor, 25 përqind e vizitave me çrregullime

0
156

Pa shëndet mendor nuk mund të kemi një trup të shëndetshëm. Na ndodh shpesh herë të ndihemi të lodhur, të mos kemi dëshirë të bëjmë asgjë. Arsyet që çojnë në këtë gjendje janë të ndryshme, por gjithçka varet nga ne, mënyra se si reagojmë ne në një situatë të caktuar. Psikiatri Anastas Suli, thotë se për këtë ka një zgjidhje. “Lufto ose fluturo”, përballu me të ose largohu prej saj, por mos harro që është e rëndësishme të mos fajësosh veten për gjithçka që ndodh përreth teje. Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton me anë të një studimi të saj se 25 përqind e vizitave në shërbimin parësor shfaqin probleme të shëndetit mendor. Mjeku psikitarë Suli shpjegon se janë kryesisht faktorë social ato që percipitojnë shfaqjen e stresit e më pas probleme me shëndetin mendorë.

Çfarë është stresi?

Stresi është një prej komponentëve kryesorë të psikiatrisë. Grekët e vjetër thonë: Të gjithë ne vetëm një hap na ndan nga katastrofa. Të jesh nën një farë presioni në jetë është normale dhe është e kuptueshme që kjo është e pashmangshme, por kur presioni është i madh, vazhdon për një kohë të gjatë dhe është shumë më i madh nga kapaciteti që ne kemi për t’u përballur me të. Kjo ndodh nëse ne nuk kemi mundësi të pushojmë dhe të ripërtërihemi. Ky reagim i pakëndshëm ndaj një presioni shumë të madh, ose llojet e tjera të presioneve psikologjike të bëra ndaj nesh, quhet stres. Stresi nuk është gjë tjetër veçse një reagim ndaj një situate të pakëndshme që na krijon shqetësim.

Cilat janë shqetësimet kryesore që e shkaktojnë stresin?

Kur ne ndodhemi në një presion të tillë trupi përgjigjet në mënyrë automatike, duke çliruar neuromediatorë, duke çliruar atë që tashmë e kanë mësuar të gjithë, adrenalinën. Dhe këtë e bëjnë që të tregojnë se ne jemi të përgatitur për t’u përballur me rrezikun, rrezik real apo rrezik imagjinar. Në këtë situatë muskujt tkurren, njeriu është i kontraktuar, frymëmarrja shpeshtohet dhe bëhet më e cekët në përpjekje për të futur më shumë ajër në organizëm, zemra “vrapon”, ndjehemi sikur duam të vrapojmë ndërkohë kur këmbët tona nuk janë në gjendje ta ndjekin këtë ndjesi që ne kemi dhe mbesim mbrapa. Mendja vrapon dhe mund të ndjejmë marrje mendsh dhe trullosje, vështirësi në të të ngrënit. Mund të ndihemi të sëmurë ose kemi mungesë oreksi, ngjethemi dhe djersitemi më shumë se zakonisht.

Si vepron njeriu në këto raste?

Ky reagim automatik ndaj një situate stresante njihet si përgjigja “lufto dhe fluturo”, që do të thotë ose përballu me të ose largohu prej saj. Trupi prodhon hormone. Përgjigjja e trupit i mpreh aftësitë tona dhe i bën të gatshme për t’u përballur me situatën, përqendron vëmendjen, na ndihmon të përballemi me presionin që ne kemi. Presioni i madh që ne kemi na bën më pak produktiv, më pak të vëmendshëm. Kjo na shkakton probleme.

Çfarë prek më shumë stresi?

Në radhë të parë preken mendimet tona. Shqetësohemi më shumë nga ç’duhet për një gjë të parëndësishme, bëhemi më tepër të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm nga ç’duhet. E dyta kemi vështirësi të përqendrohemi në punën mendore dhe fizike. “Dikur e bëja këtë punë me shumë lehtësi, tani e kam shumë të vështirë për arsye se ndihem i lodhur, nuk i kam mendimet e qarta si më parë, nuk kam atë shpejtësi për të perceptuar subjektin, nuk kam rendiment, nëse më parë më duhej një orë tani më duhen disa orë për një punë.”

A vazhdon stresi pas situatës?

Vazhdon për aq kohë sa stresi është aty, por dhe kur është larguar, sepse kur është larguar vetë situata që e ka nxitur dhe precipituar, format e reagimit janë nga më të ndryshmet. Preken ndjenjat tona, e ndjejmë veten të pavlerë, e zhvlerësojmë veten dhe e bëjmë fajtor për gjëra që nuk i kemi bërë. Kemi vështirësi të cclodhemi. Jemi gjithmonë të stresuar dhe tensionuar, presim të na ndodhë një e keqe. Preket dhe sjellja jonë, jemi te lodhur dhe të zhgënjyer. Një i sëmurë depresiv në mëngjes nuk ka dëshirë të ngrihet nga krevati, madje thotë “obobo u gdhi dhe kjo ditë”. Karakteristikë e depresionit është lodhja dhe humbja e energjisë, paaftësia për të bërë qoftë dhe punën më të rëndomtë.

A e shkakton stresi depresion?

Nuk e shkakton stresi depresionin. Depresioni është një sëmundje endogjene dhe e shkaktuar nga prishja e ekuilibrave kimik. Stresi e shpejton, e nxit dhe e nxjerr në pah. Në kondita shumë të favorshme pa stres kur ai të operonte me lehtësira mund dhe të mos shfaqet depresioni, kurse në rastet e stresit ai e shpejton shfaqjen e tij. Mund të ndihemi dhe në të kundërtën, nuk mund të rrimë në një vend, kjo njihet ndryshe si “këmbët e lepurit”.

Në rastet e fundit që keni trajtuar cilët janë faktorë që kanë precipituar shfaqjen e sëmundjes? Problemet në çift, marrëdhënia me njëri-tjetrin, problemet që lidhen me rritjen dhe edukimin e fëmijëve, problemet ekonomike, kanë apo nuk kanë para, janë apo nuk janë në punë. Problemet e strehimit. Problemet që lidhen me çështjen e shëndetit të personit apo të afërmit, diagnostikohet një afërm me një sëmundje të rëndë kronike etj.

Në raste të tilla bëjmë fajtor veten?

Nuk mund të bëjmë fajtor veten.  Më shumë fajtore janë paragjykimet tona. Ne të dy na thërrasin në një mbrëmje gala. Unë them “Obobo, do shkoj atje, do më dëgjojnë, do them një budallallëk, do harroj ndonjë gjë me rëndësi, do bëhem qesharak. E bluaj në mendjen time të vete të mos vete, do bëj mirë apo jo, ndihem i deprimuar. Ndërsa ti me zi pret, të hanë duart, thua do vete atje, do mbaj një ligjëratë që do i habis të gjithë, për këtë je e ngazëllyer, të shkëlqejnë sytë, të shkëlqen fytyra, bën një make-up të bukur, vishesh në mënyrë tepër elegante që të biesh në sy, e njëjta ngjarje në dy njerëz të ndryshëm. Në këtë rast nuk e ka fajin festa, ngjarja, por e kanë fajin lentet tona, ato që kemi brenda në kokë. Secili nga ne ka tre-katër lente, ne i quajmë skema. Dhe këto skema janë shumë kokëforta, të pabindura, sepse këto janë skema të ngjizura që nga fëmijëria jonë. Në bazë të skemave ne mendojmë dhe veprojmë, në këtë rast duhen korrigjuar lentet. Ato korrigjohen nëpërmjet mendimit të gabuar për ngjarjen duke më vënë përballë mendimin racional. Por duhet që dhe të krahasosh veten me të tjerët, vërtet unë kam një njeri me kancer në shtëpinë time, por në fund të fundit njerëzit janë të vdekshëm, ne që kur lindim na ndjek nga mbrapa frika e vdekjes.

Cila grupmoshë ka më shumë frikë nga vdekja?

Frika e vdekjes është në mënyrë të veçantë më e zhvilluar te fëmijët deri në adoleshencë, por dhe te të moshuarit mbi 60 vjeç e lart. Pse? Sepse te kjo moshë që ngelet ka dy probleme të mëdha. Dy mekanizma të mëdha mbrojtëse, të cilët janë: rritja e fëmijëve, edukimi i tyre që në fund të fundit është vepra dhe kryevepra e familjes dhe e dyta karriera. Këto të dyja janë stimulues shumë pozitiv sa nuk të lënë të mendohesh për gjëra të tjera.

A keni takuar njerëz që kanë frikë nga vdekja?

Një nga psikiatrit e mëdhenj thotë: Unë nuk kam frikë nga vdekja por ka frikë të ndodhem atje kur ajo të shfaqet.

Është një shprehje që thotë numëro deri në 10 para se të flasësh…

Është një shprehje e nxjerrë nga populli, por dhe populli e ka nxjerrë këtë nga praktika. Është e kuptueshme, sepse ka momente që je i tensionuar dhe e percepton se tani është fundi. Kur ti numëron i jep kohë vetes, të mendohesh më shumë, të relaksohesh, adrenalina nuk është në maksimumin dhe i jep kohë që ta bësh këtë vlerësim më të arsyeshëm. Prandaj qetësohu.

A mund të na thuash “formula” të ngjashme?

Ka shumë formula, por nuk mund të specifikohen si një sentencë e vetme. Janë të shumta dhe shumë të suksesshme si: të marrë frymë me ngadalë, ta marrë me qetësi, të përfytyrojë një gjë që i pëlqen dhe që i ka lënë mbresa të këndshme dhe ta arratisë mendjen në atë që i pëlqen, dikush në pyll, dikush në det, dikush në natyrë, të mbyllur sytë dhe ta kalojë veten në atë mjedis që i kalon paqe, qetësi dhe e bën të ndjehet mirë.

Kjo është pak a shumë formula e meditimit?

Një tentativë shumë e mirë është meditimi, por ja atë meditimin që shoh në një emision mëngjesi. (Qesh) Joga është shumë e mirë, por e bërë nga njerëz që dinë ta bëjnë jogën, dyshoj se dinë shumë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here