Sëmundjet e shëndetit mendor, Shqipëria në nivele alarmante

0
151

Rritet numri i shqiptarëve të prekur nga sëmundjet e shëndeti mendor. Një në katër persona në botë vuan nga një çrregullim i shëndetit mendor, por kur bëhet fjala për Shqipërinë raportet bëhen edhe më të ngushta. Në këtë përfundim arrin mjekja psikiatre Arjana Rreli, te Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor, pranë Poliklinikës nr.3 në Tiranë. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, mjekja tregon se ky është një problem gjithnjë e në rritje, çka e dëshmon jo vetëm numri i vizitave, por edhe fakti se një pjesë e mirë e personave vazhdojnë të mos i pranojnë çrregullime të tilla si pjesë e shqetësimeve mendore, duke e kërkuar shkakun në organe të tjera, përpiqen t’i vetëzgjidhin ose më keq akoma, mësojnë të jetojnë më të, pasi truri vazhdon të perceptohet si një organ që nuk ka të drejtë “të ankohet”.

Çfarë është shëndeti mendor?

Shëndeti mendor është pjesë e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme dhe reflekton ekulibrin midis personit dhe ambientit ku ai jeton dhe vepron. Në këtë këndvështrim shëndeti mendor është diçka për të cilën ne duhet të kujdesemi në të njëjtën mënyrë siç bëjmë për shëndetin fizik dhe shpesh metodat dhe mënyrat janë të njëjta dhe në funksion të njëra-tjetrës.

Disa koncepte për shëndetin mendor:

-Çrregullimet mendore –janë shenja, ankesa dhe kondita të referuara nga personi që vlerësohen nga profesionisti i shëndetit mendor, klasifikohen dhe përfundojnë me diagnostikimin e një çrregullimi që ndikon në diagnostikimin e një çrregullimi që ndikon në funksionin njohës dhe emocional të individit. Tek çrregullimet mendore mund të përmendim çrregullimet e humorit (depresioni), çrregullimet psikike (skizofrenia) etj.

-Problemet e shëndetit mendor – janë gjendje që nuk përmbushin kriteret për sëmundje, por ndikojnë në cilësinë dhe vazhdimësinë normale të jetës së përditshme. Ato janë vështirësitë emocionale dhe psikologjike të individit, rrjedhojë e streseve rrethanore ose të vazhdueshmë të individit. Ankthi është një nga problemet e shëndetit mendor që aktualisht është më i referuari nga popullata.

-Parandalimi në shëndetin mendor- Shëndeti mendor ka për qëllim të minimizojë faktorët e rrezikut që lidhen me shfaqen e problemeve dhe çrregullimeve të shëndetit mendor.

-Stigma janë qëndrimet personale dhe kolektive ndaj personave me probleme të shëndetit mendor ose me çrregullime mendore. Për shembull etiketimet: ‘’i çmendur’’, përjashtimet dhe neglizhimet kur personat evidentohen me probleme të shëndetit mendor etj.

-Shërbimet e shëndetit mendor dhe profesionistët

Në shëndetin mendor operojnë mjekët, psikologët, punonjësit social, infermierët, terapistët okupacionalë dhe kujdestarët në shërbime të specilizuara të psikiatrisë pranë poliklinikave të qyteteve, Qendrave Komunitare të shëndetit mendor, spitaleve psikiatrike në disa qytete të Shqipërisë dhe shtëpive të mbështetura.

Çfarë vendi zënë sëmundjet e shëndetit mendor krahasuar me sëmundjet e tjera?

Në nivel statistikor, Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon se një në katër persona vuan nga një problem i shëndetit mendor.

Gjithashtu 1 në 4 familje mund të ketë në gjirin e saj të paktën një anëtar me çrregullime mendore. Në Shqipëri duke marrë parasysh ndryshimet e shpeshta, tranzicionin e zgjatur dhe problemet sociale tepër evidente dhe me “kosto” të lartë që ka popullata jonë, sigurisht që numri i personave që vuajnë nga shqetësime të tilla, është shumë më i lartë dhe raporti 1:4 është më i ngushtë.

Nga viti në vit vihet re rritje e numrit të vizitave dhe kontrolleve, gjë që tregon nga njëra anë intensifikimin e shqetësimeve, por nga krahu tjetër edhe informim dhe ndërgjegjësim më të madh të popullsisë. Numri në rritje është vetëm një pjesë e treguesve sasior të problemit, pasi aktualisht ka ende persona që nuk arrijnë ta pranojnë çrregullimin e vet si pjesë e shqetësimeve mendore. Kështu këta shkojnë në specialistë të tjerë duke kërkuar shkakun në organe të tjera (zemra, stomaku, tiroidja etj), duke u bërë pjesë e numrit të pacientëve të patologjive organike (ndërkohë që nuk janë!). Një pjesë tjetër përpiqen ta “vetëzgjidhin” gjendjen duke përdorur alkool, medikamente të sugjeruara nga një mik “bashkëvuajtës” farmacisti ose më keq akoma duke kërkuar ndihmën e “vendit apo njeriut të mirë” duke mos u evidentuar asnjëherë si persona me shqetësime mendore. Duke konsideruar edhe faktorët e sipërpërmendur lind natyrshëm opinioni se problemet e shëndetit mendor zënë një peshë tepër të rëndësishme në radhët e sëmundjeve të tjera të sistemit të përgjithshëm.

Nisur dhe nga ajo çka thamë më lart, pse shqiptarët vazhdojnë ta neglizhojnë vizitën tek mjeku psikiatër. Mbetemi akoma tek “teoria” çështje mentaliteti?

Tek konceptet e shëndeti mendor, jo rastësisht kam përmendur edhe stigmën. Konceptimi dhe pranimi i çdo sëmundje, është gjithashtu pjesë e kulturës së përgjithëshme të personit dhe popullit të cilit ai i përket. Aq më tepër kur flitet për shëndetin mendor, çrregullimi nuk parandalohet, e për më shumë paragjykohet e komentohet duke u bërë kështu një “damkë” për personin që e vuan. Nga një tjetër këndvështrim “patologjik”, një pjesë e mirë e njerëzve e mendojnë shqetësimin mendor si dobësi, paaftësi për t’ia dalë duke mbivendosur edhe frikën deri në panik. Asnjë prej tyre nuk mendon se truri është një organ si gjithë të tjerët, që është i ekspozuar nga agjentë të jashtëm ambientalë dhe që askush nga ne nuk është i “vaksinuar” për të pasur imunitet dhe për të mos u prekur asnjëherë nga problemet mendore. Pra, një person i cili ankon ankthin, ankon humorin e keq, ankon shenja të tjera që tregojnë se është cenuar shëndeti mendor thotë: “Unë nuk jam kaq i dobët sa të mos i përballoj vetë”, ndërkohë që ky është një problem që ashtu siç diabeti, bën luhatjet e veta të sheqerit në gjak, po ashtu dhe humori bën luhatjet e veta.

E gjithë filozofia e mbarëvajtjes së shëndetit është: të indetifikojë/pranojë ndihmën kur duhet, ku duhet dhe si duhet!

shendet mendorCilat janë shqetësimet më të shpeshta që paraqesin pacientët kur drejtohen tek ju?

Puna ime është e fokusuar në shërbimin ambulator. Ndryshe nga ndihma e ofruar në spital, gjendja e pacientit në ambulator është e menaxhueshme. Shumica e personave që u jepet ndihma, janë kritikë ndaj gjendjes së tyre, i kanë të racionalizuara problemet dhe ankesat dhe e pranojnë ndërhyrjen që i ofrohet në këtë shërbim. Nuk janë të pakta rastet kur shqetësimet referohen nga të afërmit ose janë këta që shoqërojnë me nismën e tyre personin problematik, për shkak të mospranimit jo vetëm të shqetësimeve, por edhe të trajtimit.

Ankesat më frekuente që vijnë në shërbimin ambulator janë ato të lidhura me gjumin, oreksin, emocionet, reagimet ndaj situatave të ngarkuara, preukopimet fizike të pazgjidhura nga specialistët e tjerë, humori që ndryshon dhe mendimet e devijuara. Këto që përmenda janë shqetësimet “në vija të trasha” që ne i grupojmë, i klasifikojmë dhe më pas i vendosim diagnozën me trajtimin përkatës. Numrin më të madh të madh të vizitave e zënë çrregullimet e ankthit dhe të humorit, ndërkohë që janë shtuar shumë edhe diagnozat e moshave mbi 65 vjeç, siç është demenca senile, ateroskleroza apo sëmundja e alcajmerit.

Rastet që nuk bëjnë kritikën e gjendjes së tyre dhe humbin kontrollin duke u bërë problem për vetveten apo ambientin, si dhe rezistencat medikamentoze, janë subjekte që i drejtojmë për ndihmë dhe trajtim në sistemin terciar ose ndryshe shërbimin spitalor.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here